'Apple iPad Air' dhe 'Apple iPad mini 5' - Auto&Tech - Kosova Sot 

'Apple iPad Air' dhe 'Apple iPad mini 5'

"Apple" ka zbuluar një gamë të tërë të tabletave në një deklaratë të befasishme. Aty përfshihen "iPad" i ri mini, bashkë me mbështetjen për lapsin "Apple Pencil". "iPad Air" me 10.5 inçë dhe "iPad mini 5" me 7.9 inçë tani janë në dispozicion për para-porositje, për 399, respektivisht 499 dollarë. Ky lajm vjen pasi që dyqani i kompanisë doli "offline" gjatë së martës, duke ngjallë thashetheme rreth një lëshimi të shpejtë.

MODELET E REJA

Pasi "Apple" e riaktivizoi sajtin, aty shiheshin modelet fringo të reja të "iPad", që janë në dispozicion në ngjyrat të argjendtë, të hirtë të hapësirës dhe të artë, me një kapacitet prej 64 GB dhe 256 GB. Me këtë rast nuk ishte bërë zhurmë, sikur që bëhet me rastin e lëshimit të pajisjeve të reja, por u bë vetëm një deklaratë nga "Apple". Pajisjet janë përshtatur që ta përmbajnë çipin më të ri "Apple A12 Bionic", për të cilin kompania thotë se ka fuqi performuese tri herë më të madhe sesa çipat e gjeneratave paraprake, si dhe procesim të grafikës që është 'nëntë herë më e shpejtë'.

EKRANI "TRUE TONE"

"Air" po ashtu është i pajisur edhe me një ekran "True Tone", për të cilin "Apple" thotë se është 20% më i madh sesa modelet paraprake, përkundër asaj se është vetëm 6.1 milimetra i trashë dhe peshon vetëm 456 g. Tableti më i vogël është ringjallë në një kohë kur smartfonët janë duke u rritur në madhësi dhe 'phablet'-ët janë duke u bërë gjithnjë e më të popullarizuar. Pajisjet që palosen nga "Huawei" dhe "Samsung" mund të hapen që të krijojnë ekrane të ngjashme për nga madhësia me ato të "iPad mini". Pritet që ai të jetë në dispozicion në të gjithë provajderët më të mëdhenj të rrjetit, ku EE zbulon se paraporositë tani mund të fillojnë, me porositë që do të fillojnë të përmbushen nga 26 marsi.

EVENTI "LIVE"

Gjiganti teknologjik po ashtu pritet që ta mbajë një event 'live' gjatë javës së ardhshme, kur pritet ta prezantojë një shërbim TV dhe të filmit, për t'i bërë rivalitet shërbimeve si "Netflix" dhe "Amazon Prime Video". Analistët thonë se "Apple" ka për qëllim zgjerimin e biznesit të shërbimeve, që aktualisht përfshin platformën "Apple Music streaming", pas rënies së shitjes së pajisjeve "iPhone". Kjo kompani me muaj të tërë ka njoftuar investitorët dhe fansat rreth ambicieve të veta që të bëhet shërbim i 'streamingut' i ngjashëm me "Netflix"-in. Që nga tetori i vitit 2017, "Apple" ka blerë disa projekte, ku nëntë prej tyre kanë marrë dritën jeshile për një seri të plotë. Kjo thuhet të mbështetet nga një buxhet që pritet të jetë më i madh se 1 miliard dollarë.

(Kosova Sot)

23 orë e 35 minuta më parë
Ndërlidhur
08/12/19