'Flakareshat' e ndërkombëtarëve nuk e ndalin kërdinë e pushtetit - Lajme - Kosova Sot

'Flakareshat' e ndërkombëtarëve nuk e ndalin kërdinë e pushtetit

Qarri: Kasta e kriminalizuar politike, e cila ka kapur gjithë shtetin, është bërë aq e fuqishme dhe imune në veprimet e saj kriminale, saqë nuk lodhen më fare për transparence dhe llogaridhënie

 “Pavarësisht "flakareshave" të njëpasnjëshme të SHBA-së dhe vendeve të tjera mike të Kosovës, partnerët e koalicionit po e vazhdojnë garën për zhvatjen e buxhetit të shtetit dhe uzurpimit të tmerrshëm të institucioneve publike me punësimin e familjarëve të tyre dhe militantëve partiakë. Edhe përkundër kritikave të shpeshta të ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, liderët shtetërorë dhe liderët partiakë në pushtet po bëhen të shurdhër, duke mos dëgjuar fare vërejtjet serioze të miqve të Kosovës”, thotë për “Kosova Sot”, analisti Florim Zeqa

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka kritikuar sërish institucionet e Kosovës, duke thënë se shumë institucione të Kosovës thjesht nuk po e bëjnë punën e tyre për të vepruar sipas ligjit dhe Zyrës së Auditimit. Diplomati amerikan, mes të tjerash, tha se qytetarët e Kosovës duhet të kenë udhëheqës në institucione që përfaqësojnë plotësisht transparencën dhe llogaridhënien. Ndërsa, i bëri thirrje edhe Policisë hetuese dhe Zyrës së Prokurorit të Shtetit që të kenë bashkëpunim më të madh për të ndihmuar Zyrën e Auditimit.

Por, institucionet e shtetit nuk lodhen fare për transparencë dhe llogaridhënie, por as nuk përfillin të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm, ku evidentohen shpërdorime të mëdha të parave të buxhetit të shtetit. Shkeljet e gjetura nga Auditori nuk janë marrë fare seriozisht nga Prokuroria e Gjyqësia.

Sipas analistëve, kjo është edhe një shuplakë e SHBA-së për politikanët dhe institucionet kosovare. Ndërkohë, theksojnw analistwt, po vazhdojnë keqpërdorimet në Kosovë nga pushtetarët e inkriminuar, pavarësisht kritikave të vazhdueshme të SHBA-së dhe vendeve të tjera mike të Kosovës e askush nuk përfundon në pranga,edhe pse vidhen dhjetëra miliona euro. Njohwsit e politikws kanw dyshime se a do tw arrijë Njësiti për Luftimin e Mashtrimeve në kuadër të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë të zbulojë me kohë aferat e korrupsionit dhe mashtrimeve të politikanëve të kriminalizuar apo edhe ky njësit do të dështoje, ashtu siç kanë dështuar deri më tani pothuajse të gjitha institucionet e tjera të kapura!? Gazeta ka kontaktuar me Prokurorinë e Shtetit dhe Zyrën e Auditimit, por nuk ka arritur të marrë qëndrimet e tyre për këtë çështje. 

Image

 

Kryehajnat duhet të burgosen

Analisti Reshat Badallaj thekson se ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, po tregon se e ka marrë punë shumë seriozisht dhe do t´i shtyjë proceset përpara,por njëkohësisht me shumë vend dhe me shumë arsye e ka parë se krejt sherri i ngecjes dhe i të gjitha të zezave në Kosovë janë pikërisht pushtetarët që e kanë kapur shtetin dhe nuk janë në shërbim të popullit.

“Prandaj, them unë se majat e shtetit janë të pafytyrë që i ka rënë në sy çdokujt mospuna e tyre, sepse këta nuk janë assesi për interesa të qytetarëve të Kosovës,por qëllimi kryesor është që ta mbajnë pushtetin dhe janë të verbuar pas hajnisë. Kur them se nuk janë në shërbim të popullit, doli në shesh turpi i këtyre banditëve dhe kryebanditëve të masave të shtetit që nga Presidenca kuislinge, Qeveria hajdute, Kuvendi rrugaçësh dhe deri te bandat politike

. Por, ky soj banditësh e hajnash i kthyen shpinën këtyre dhe punësojnë deri në katër djem në Telekom apo PTK. Për të bashkëpunuar me ta dikasteret e tjera është zor i madh, sepse të gjitha janë nën mbikëqyrjen e këtij klani mafioz të nëntokës kriminale dhe kjo bandë mafioze shumë e rrezikshme askujt në Kosovë nuk i japin llogaridhënie, se ky grup shumë i rrezikshëm mafioz të majave të shtetit janë mbi ligjin, ata vetë bëjnë ligjin, nuk respektojnë as ligj,as Kushtetutë dhe as shtet”, u shpreh ai. “Tashmë hajnia e këtyre kryebanditëve ka dalë ashiqare se si e vjedhin dhe e dëmtojnë buxhetin e shtetit, i keqpërdorin dhe i vjedhin dhe askush nuk i merr në pyetje ose nuk i burgos. Ka dhënë shpresë të madhe te popullata ambasadori amerikan z. Kosnett, se ndoshta do të bëjë që të dalë ndonjë epokë e re në Kosovë dhe të largohen dhe të burgosen këta kryehajna dhe kryebanditë që punojnë vetëm për vete dhe vjedhin shtetin me të madhe, si të ishte mall i kaurit si thuhet andej nga ne”, vlerësoi Badallaj. Sipas tij, shuplaka amerikane i ka futur frikën pak dhe është një paralajmërim. “Se sa e njoh unë politikën amerikane ,hap pas hapi i pret dajaku dhe nuk e dinë se nga iu vjen”, shpjegon ai.

Badallaj: Klanet mafioze e rrënuan vendin

“Amerika nuk luan si këta mangupët tanë se vjedhin me miliona dhe paratë e popullit i bëjnë rrush e kumbulla, duke bërë sallamadi me djersën e taksapaguesve.

Personalisht me angazhimin shumë serioz të ambasadorit amerikan, z. Philip Kosnett, e shoh shumë serioz dhe kam besim te hapat e sigurt të tij dhe se ora është edhe pesë në dymbëdhjetë për bandat që e kanë kapur shtetin dhe tallen me popullin, vjedhin sa munden, punësojnë të afërmit e tyre, falimentojnë firma dhe më pas i fusin në thonjtë e këtyre banditëve mafio-oligarkësh të kësaj nëntoke kriminale më të rrezikshme në tërë Ballkanin, por që veprojnë në Kosovë. Shkurt e shqip, unë besoj vetëm në ambasadorin amerikan dhe..., kurse aspak në këto banda që veprojnë në Kosovë, sepse mbi ta është klani mafioz i majave të shtetit dhe kanë pos fjalëve vetëm pallavra dhe asgjë nuk mund të bëjnë, sepse jemi dëshmitarë të kohës, se të gjitha deri më tani kanë dështuar turpshëm”, u shpreh Reshat Badallaj për “Kosova Sot”.

Image

 

Qarri: Shteti nuk është më i qytetarëve, por i bandave

Analisti Gani Qarri thekson se nga krejt historiku i zhvillimeve në dy dekadat e fundit, është vërtetuar katërçipërisht se pa dërgimin në pension të të ashtuquajturave "parti të dala nga lufta" dhe burgosjen e pushtetarëve kriminelë e të korruptuar, njëjtë siç u veprua edhe në Kroaci, Kosova kurrë nuk do të ketë prosperitet as zhvillim normal.

“Ky shtet nuk është më shtet i qytetarëve me mundësi dhe të drejta të barabarta, por vend i mafisë politike, ku sundon korrupsioni, nepotizmi dhe krimi i organizuar. Ndaj, megjithëse ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, me të drejtë ka kritikuar sërish institucionet e Kosovës, se shumë institucione të saj thjesht nuk po e bëjnë punën e tyre për të vepruar sipas ligjit dhe Zyrës së Auditimit, gjë që është plotësisht e vërtetë, këtu nuk mjaftojnë më vetëm fjalët, në këtë vend, përfundimisht kërkohen veprime të vendosura dhe konkrete. Sado që diplomati amerikan tha hapur, se qytetarët e Kosovës duhet të kenë udhëheqës në institucione që përfaqësojnë plotësisht transparencën dhe llogaridhënien, duke i bërë thirrje edhe Policisë hetuese dhe Zyrës së Prokurorit të Shtetit që të kenë bashkëpunim më të madh për të ndihmuar Zyrën e Auditimit, përderisa kjo kastë e kriminalizuar të qëndrojë në pushtet, kurrë nuk do të ketë asnjë rezultat në këtë drejtim”, vlerësoi Qarri.

Sipas tij, për aq më tepër, kasta e kriminalizuar politike, e cila ka kapur gjithë shtetin, është bërë aq e fuqishme dhe imune në veprimet e saj kriminale, saqë as institucionet e kapura të shtetit nuk lodhen më fare për transparence dhe llogaridhënie, dhe as që përfillin të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm, ku evidentohen shpërdorime të mëdha të parave të buxhetit të shtetit. “Kur kihet parasysh fakti se në Kosovë edhe më herët kishte disa të ashtuquajtura "task forca" kinse për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, të cilat u shuan në heshtje pa ofruar asnjë rezultat, kuptohet plotësisht se pse shkeljet e gjetura nga auditori nuk janë marrë fare seriozisht nga Prokuroria e Gjyqësia e kapur e shtetit”, potencoi Gani Qarri për “Kosova Sot”.

 “Kjo është edhe një shuplakë e SHBA-së për politikanët dhe institucionet kosovare, pasi në Kosovë po vazhdojnë keqpërdorimet e kthyera në ligj nga pushtetarët e inkriminuar, pavarësisht kritikave të vazhdueshme të SHBA-së dhe vendeve të tjera mike të Kosovës, përderisa askush nuk përfundon në pranga, edhe pse vidhen dhjetëra miliona euro.

Ndaj, pas dështimit të "task forcave" formale vendore, e vetmja shpresë për ndryshimin e gjendjes në vend dhe ndalimin e krimit dhe korrupsionit galopant, që kanë mbërthyer gjithë shtetin dhe marr përmasa alarmante, qytetarëve u ka mbetur tek SHBA-ja, që me Njësitin për Luftimin e Mashtrimeve në kuadër të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë të zbulojë me kohë aferat e korrupsionit dhe mashtrimeve të politikanëve të kriminalizuar, nëse edhe ky njësit nuk do të dështojë, ashtu siç kanë dështuar deri më tani pothuajse të gjitha institucionet e tjera të kapura të shtetit, pa rrëzimin nga pushteti të politikanëve të inkriminuar aktualë”, u shpreh Gani Qarri për “Kosova Sot”.

Image

 

Gara e uzurpatorëve nuk ka të ndalur

Analisti Florim Zeqa vlerëson se kohëve të fundit janë bërë të shpeshta kritikat e zyrës amerikane, asaj britanike dhe zyrave të tjera diplomatike të akredituara në Kosovë drejtuar institucioneve të Kosovës se nuk po e bëjnë punën e tyre për të vepruar sipas ligjit dhe Zyrës së Auditimit. “Pavarësisht "flakareshave" të njëpasnjëshme të SHBA-së dhe vendeve të tjera mike të Kosovës, partnerët e koalicionit po e vazhdojnë garën për zhvatjen e buxhetit të shtetit dhe uzurpimit të tmerrshëm të institucioneve publike me punësimin e familjarëve të tyre dhe militantëve partiakë.

Edhe përkundër kritikave të shpeshta të ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, liderët shtetërorë dhe liderët partiakë në pushtet po bëhen të shurdhër, duke mos dëgjuar fare vërejtjet serioze të miqve të Kosovës”, potencoi ai.

“Bartësit e institucioneve të  shtetit nuk lodhen fare për transparencë dhe llogaridhënie, dhe as nuk përfillin të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm, ku evidentohen shpërdorime të mëdha të parave të buxhetit të shtetit, për shkak se llogarisin në sistemin e drejtësisë që e kanë levë të fuqishme në duart e tyre. Përderisa të jetë i tillë sistemi i drejtësisë, shkeljet e gjetura nga auditori nuk do të merren asnjëherë seriozisht nga Prokuroria e Gjyqësia kosovare”, vijoi më tej Zeqa. Sipas tij, të papërfillshme do të mbeten edhe kritikat e miqve, derisa ato nuk shoqërohen me masa ndëshkimore ndaj politikanëve të korruptuar dhe tejinkriminuar.

Zeqa: Njësiti, pas historisë së dështimeve

“Uroj që Njësiti për luftimin e mashtrimeve në kuadër të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë të mos e ndjekë rrugën e AKK-së dhe Task Forcës, por të zbulojë me kohë aferat e korrupsionit dhe mashtrimeve të politikaneve,...dhe dëshmitë e provat t'i deponojë me kohë në organet kompetente dhe të njëjtat t'i dërgojë edhe pranë Zyrës së SHBA-së dhe vendeve të Quintit, në mënyrë që të mos fshihet asgjë nga e vërteta,...në mos për asgjë tjetër, që të mbeten si prova të pakontestueshme për një proces të ardhshëm të VETTING-ut.

Në të kundërtën, edhe ky njësit do të dështojë sikurse të gjitha agjencitë e tjera, të themeluara enkas për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)

AAAAAAAAAAAAAA
Te tjera