Shteti në dorë të familjarëve të pushtetarëve, kushërinjve, dajave e tezeve - Lajme - Kosova Sot
Shteti në dorë të familjarëve të pushtetarëve, kushërinjve, dajave e tezeve

Shteti në dorë të familjarëve të pushtetarëve, kushërinjve, dajave e tezeve

Grapci: Vendi ka mbetur pa sundim ligji, pa zhvillim ekonomik, pa treg të lirë, e me monopole kriminale

“Kjo bandë nga majat e shtetit i punësuan vetëm anëtarët e familjeve të tyre dhe atë në ato dikastere ku merrnin rroga si në Perëndim, ia kthyen shpinën popullit dhe i lanë të pashpresë fare, prandaj rrugën e ikjes e gjejnë si shpëtim. Dhe, jo vetëm kaq, por këta kryebanditë që e kanë kapur shtetin, nga paratë e majme që marrin, të gjithë fëmijët i shkolluan ose në universitete private ose jashtë shtetit. Këta janë të sëmurë vetëm për pushtet dhe për hajni”, theksoi analisti Reshat Badallaj për gazetën “Kosova Sot”

Raporti më i ri i Bankës Botërore e rikonfirmoi papunësinë rekorde prej 29% në Kosovë, ku del se zyrtarisht kemi 1/3 e popullatës të papunë. Por, sipas analistëve, këtu nuk bëjnë pjesë kushërinjtë e politikanëve, miqtë dhe klientelat e tyre. Analistët thonë se shteti ka degraduar rëndë nga nepotizmi e klientelizmi i egër kriminal, ku nuk e mohojnë as vetë krerët e qeverisë aktuale. 

Ata alarmojnw se cka mund të presësh kur kryeministri ankohet se partia e tij nuk ka arritur të punësojë akoma sa subjektet e tjera. Njohwsit e fushws sw ekonomisw shtrojnw pyetjen se pse, pa marrë parasysh se kush vjen në pushtet, për këto 20 vite që lamë pas secili e ka hallin se kush po punëson më shumë akraballëk, teze e dajë, nipa, bijë e bija, sesa zgjidhjen e papunësisë së thellë, ndërkaq në të njëjtën kohë populli zhvatet, ndërkaq nuk ka zhvillim ekonomik për hapjen e vendeve të reja të punës?

Sipas analistëve, të gjitha partitë gjatë zgjedhjeve na gënjyen, të gjithë këta që na qeverisin bashkërisht u zotuan se do të hapin qindra-mijëra vende të reja pune, por ja ku jemi sot, më të papunësuar e më të varfëruar. Në Kosovë,thonw analistwt, nuk ka punë as për ata që janë me dy-tri diploma dhe të shkolluar jashtë vendit. Në Kosovë “pa të njohshëm” nuk e hedh dot asnjë hap në këtë shoqëri të degraduar tashmë. Shteti ka degraduar tërësisht pa sundim ligji, pa zhvillim ekonomik, pa treg të lirë, e me monopole kriminale, duke bllokuar në këtë mënyrë hapjen e vendeve të reja të punës.

Image

 

 Mbi 50 për qind e popullatës të papunë

Kreu i BSPK-së, Avni Ajdini, për gazetën “Kosova Sot” thotë se statistikat e papunësisë, që po jepen nga institucionet tona kombëtare, sikurse që është ASK-ja, nuk janë reale, ngase del se papunësia në Kosovë është shumë më e madhe.

“Unë them se papunësia në Kosovë është në kuotën deri në 35 për qind, ngase ne si BSPK përditë ballafaqohemi me të papunët, ndaj edhe ne konsiderojnë se papunësia në Kosovë është mbi 35 për qind, e mbase edhe më shumë se kjo shifër“, është shprehur ai. Eksperti i ekonomisë, Ramadan Ferizi, për gazetën “Kosova Sot” thotë se të dhënat e Bankës Botërore mbi papunësinë në Kosovë nuk janë të sakta, sepse realisht komponentët me të cilët llogaritet papunësia në Kosovë nuk janë të përshtatshëm.“Unë besoj se papunësia në Kosovë është mbi 55 për qind.

Pra  bëhet fjalë për papunësi të popullatës aktive që është e aftë për punë dhe këto shifra për mua nuk çojnë peshë. Sepse numri i të papunëve të mes të shifrave që jep ASK-ja dhe BB-ja dallojë shumë, ngase komponentët e raporteve, punësia e papunësia, dallojnë në mes vete dhe Banka Botërore i ka elementet në bazë të të cilave ajo e cakton numrin e të papunëve. Sepse, sipas BB-së, nëse me konkurs nuk kërkon punë dhe nuk je i paraqitur në Entet për Punësim, ti nuk konsiderohesh si i papunë. Por në realitet nuk është kështu, sepse në Kosovë njerëzit e kanë humbur shpresën se do të mund të punësohen dhe ata tashmë edhe nuk po lajmërohen nëpër Qendrat e Punësimit ndaj BB-ja ata i konsideron se janë të punësuar”, është shprehur ai.

Eksperti i ekonomisë, Xhevat Meha, për gazetën “Kosova Sot” thotë se ky indikator nuk është i saktë, sepse kemi shifra zyrtare të organeve të shtetit që na thonë se shumë familje jetojnë në fshat, por realisht ato familje nuk jetojnë në fshat, por në qytet, dhe si të tilla ato nuk merren me asnjë veprimtari, sepse nga ata punojnë vetëm një ose dy veta dhe të tjerët janë të papunë. “Andaj unë nuk i besoj kësaj metodologjie të Bankës Botërore që e shfrytëzojnë për të evidentuar papunësinë në Kosovë”, është shprehur ai.

Image

 

 Njerëzit e kanë humbur besimin se mund të gjejnë punë

Eksperti i ekonomisë, Sejdi Halimi, është shprehur për gazetën “Kosova Sot“ se papunësia në Kosovë jo që është mbi 20 për qind, por shifrat e të papunëve arrijnë mbi 60 për qind.“Kjo sepse qytetarët me vite të tëra e disa edhe me dekada kanë qenë të lajmuar nëpër Entet e Punësimit duke kërkuar punë, të njëjtit e kanë humbur besimin se mund të gjënë punë dhe tash fare nuk po lajmërohen më si të papunë,veç e marrin rrugën e kurbetit. Ndaj e përsëris edhe një herë se edhe shifrat e ASK-së për papunësinë, që sillen prej 29 për qind dhe të në të cilat bazohet edhe BB-ja, nuk janë reale, sepse këto shifra janë të manipuluara nga ASK-ja“, ka theksuar ai.

Analisti Reshat Badallaj thekson se Kosova është ndër vendet e para në tërë Evropën që zë vendin e papunësisë, duke shtuar se bandat që e kanë kapur në dorë pushtetin, siç i quajti ai, gjatë fushatës parazgjedhore dhanë vetëm premtime boshe, mashtrime dhe rrena, kinse do ta luftojnë papunësinë dhe do të hapen shumë vende pune, bile këta shkuan aq larg sa thoshin se do të hapin deri në 500.000 mijë vende pune dhe në fakt nuk doli as përafërsisht ashtu, sepse e kishin vetëm për vota.

“Ç’është e vërteta, kjo bandë nga majat e shtetit i punësuan vetëm anëtarët e familjeve të tyre dhe atë në ato dikastere ku merrnin rroga si në Perëndim dhe ia kthyen shpinën popullit e i lanë të pashpresë fare që rrugën e ikjes e gjejnë si shpëtim. Dhe, jo vetëm kaq, por këta kryebanditë që e kanë kapur shtetin, nga paratë e majme që marrin, të gjithë fëmijët i shkolluan ose në universitete private ose jashtë shtetit. Këta janë të sëmurë vetëm për pushtet dhe për hajni. Merreni me mend se çfarë kryeministri taravol kemi, në vend se të kërkojë falje që punësoi të gjithë anëtarët e bandës së tij, ky bën konkurrencë se do të punësojë si bandat tjera që punësuan. Sido që të jetë, Kosova mbeti vendi me papunësinë më të madhe në Evropë, populli i ka humbur shpresat, por hakmarrja e tyre do të jetë në qoftë se mbahen zgjedhjet që t’i dënojë që kurrë më të mos votohen”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Reshat Badallaj.

Image

 

Krasniqi: Telekomin po e varrosin me punësime nepotike

“Nuk qëndron ajo përqindje e të papunëve në Kosovë. Numri i të papunëve është shumë më i madh. Sillet diku mes 50-70 për qind. Këto të dhëna janë nga Enti për Punësim, që nuk përkon me numrin real të të papunëve, sepse shumica e të papunëve nuk lajmërohen në këtë Ent, duke e ditur që kurrë nuk mund të gjejnë një vend pune përmes këtij enti.

Fatkeqësisht, në Kosovë gjithmonë ka shkuar kështu. Punësimet janë bërë duke qenë anëtar i devotshëm i një partie, me lidhje familjare ose edhe me lekë. Çdo parti që ka qeverisur ka vepruar në të njëjtën mënyrë. Partitë e koalicionit po bëjnë gara mes vete se kush po punëson familjarë e militantë më shumë. Postë-Telekomin e falimentuar po e varrosin me punësime të tilla. Unë nuk pres asgjë as nga kryeministri Haradinaj, që sillet si monark, as nga partnerët e tij të koalicionit dhe bashkëpartiakët e tij që sillen si gangsterë. Nga soji i këtyre njerëzve pres vetëm degradim të mëtutjeshëm të shtetit. Populli ka dy rrugë: ose me revolucion t'i rrezojë njëherë e përgjithmonë këta hiena, ose të gjithë bashkë ta lëshojmë këtë vend dhe të ikim në perëndim ku jetojmë e punojmë dinjitetshëm. Rrugë të mesme me këta kriminelë nuk ka”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

Image

 

Grapci: Papunësia te ne është më e lartë se 29 për qind

“Jam pak skeptik sa i përket raportit të Bankës Botërore, jo se nuk po u besoj këtyre shifrave, por se kjo përqindje prej 29 për qind sipas mendimit tim është tepër më e ulët, sepse në realitet papunësia te ne është më e lartë, por sido që të jetë mosha e personave të papunë është nga 16-45 vjet. Klientelizmi, familjarizmi dhe ndikimi partiak i viteve të fundit po rriten me një përqindje të pashpjegueshme. Tani shtrohet pyetja si ka ardhur deri tek kjo, kurse përgjigjja është e thjeshtë: përkrahja në punësim i familjarëve të ngushtë.

Po e marrim si shembull PTK-në, ku anëtari i këtij bordi menjëherë sapo u punësua vitin e kaluar, i njëjti i punësoi madje 4 fëmijët e tij, kurse një javë pas këtij akti ai vepron mjeshtërisht, se gjoja po jep dorëheqje. Andaj e vetmja rrugë për ta parandaluar këtë fenomen 11-vjeçar duhet që qytetarët ta votojnë një parti politike, e cila asnjëherë nuk ka pasur sukses që të futet në Qeveri apo që ta marrë ndonjë komunë në qeverisje. Prandaj vlerësoj se duhet të votohen gjeneratat e reja, të cilat janë shkolluar me reforma evropiane, e jo me reforma të ish-Jugosllavisë.

Qeveria e Kosovës duhet që këtë vit të bjerë nga pushteti komplet ose që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Vendi ka mbetur pa sundim ligji, pa zhvillim ekonomik, pa treg të lirë, e me monopole kriminale, duke bllokuar në këtë mënyrë hapjen e vendeve të reja të punës”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti i ekonomisë, Dardan Grapci.

(Kosova Sot)

 

AAAAAAAAAAAAAA
Te tjera